Mbesa dhe stërmbesa e një gjenerali të ndjerë dhe famëkeq iranian janë arrestuar nga agjencia amerikane për emigracionin (ICE) në Los Anxhelos dhe u janë revokuar lejet e qëndrimit (green card-at).
Hamideh Soleimani Afshar, 47 vjeçe, dhe vajza e saj Sarinasadat Hosseiny, 25 vjeçe, u ndaluan nga ICE të premten, ndërsa jetonin në Los Anxhelos.
Sipas Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ato kishin festuar vdekjen e ushtarëve amerikanë gjatë luftës në vazhdim të presidentit Donald Trump me Iranin.
Rubio shtoi se statusi i qëndrimit të përhershëm, i cili u lejonte atyre të jetonin pa afat në Shtetet e Bashkuara, është revokuar dhe se do të deportohen në rastin e parë të mundshëm.
“Deri së fundmi, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajza e saj ishin mbajtëse të green card-ave dhe jetonin në luks në Shtetet e Bashkuara.
Afshar është mbesa e gjeneralit të ndjerë iranian Qasem Soleimani. Ajo është gjithashtu një mbështetëse e zëshme e regjimit iranian, e cila ka festuar sulmet ndaj amerikanëve dhe e ka quajtur vendin tonë ‘Djalli i Madh’.
Këtë javë, unë i kam ndërprerë statusin ligjor si asaj ashtu edhe vajzës së saj dhe ato tani ndodhen në paraburgim nga ICE, në pritje të largimit nga Shtetet e Bashkuara.
Administrata Trump nuk do të lejojë që vendi ynë të bëhet strehë për shtetas të huaj që mbështesin regjime terroriste anti-amerikane.”




