Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati ka thënë se Kuvendi i thirrur për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku i shërben demokracisë.
Ai tha se garanton që ky proces nuk do të ndikojë në grupin parlamentar të legjislaturës së re.
“Nuk dua ta cilësoj si urgjente si Kuvend, mirëpo sigurisht se na imponon pjesa e datës së konstituimit të institucioneve, ani pse kjo është përgjegjësi e partisë me më së shumti vota. Duhet shpejtuar procedurat përndryshe grupi parlamentar është funksional pavarësisht Kuvendit të partisë”, tha ai pas mbledhjes së LDK-së.
Ferati tha se nënshkruesit për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm e kanë parashtruar kërkesën për çka ata e kanë thirrur. “Nuk është Kuvend garues. Është Kuvend i votëbesimit”, ka thënë Ferati, kur u pyet nëse ka të propozuar të tjerë për udhëheqës partie.
Ferati për arritjen e marrëveshjes me LVV: Absolutisht propagandë
I pyetur për informatat që qarkulluan dje se LDK ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV-në, Ferati tha se kjo është një propagandë.
“Absolutisht propagandë, spekulim, sidomos në kohën kur ndodhi. Pa burim të informatës, as citim të eksponentëve ose lajmit. Është spekulim, nuk qëndron. Përndryshe kryetari ka deklaruar qëndrimin e vet përmes mediave sociale dhe ka cilësuar të nevojshme pezullimin e negociatave me LVV-në”, tha ai.




