Mundësia e një marrëveshjeje historike paqeje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka mbetur e pezulluar dhe varet plotësisht nga gatishmëria e administratës së Donald Trump për të liruar 24 miliardë dollarë nga pasuritë e ngrira iraniane. Një zyrtar i lartë iranian ka konfirmuar për mediat ndërkombëtare se bisedimet kanë ngecur pikërisht në këtë pikë kritike, duke e zhvendosur të gjithë përgjegjësinë e vendimmarrjes drejt Uashingtonit.
Në një intervistë ekskluzive të dhënë për rrjetin CNN në Teheran, Mohsen Rezaei, këshilltar ushtarak i liderit suprem, Ajatollah Mojtaba Khamenei, deklaroi prerazi se negociatat ndodhen në një qorrsokak dhe se topi tashmë është në fushën e presidentit Trump. Sipas tij, pa deblokimin e këtyre fondeve strategjike, nuk mund të ketë asnjë hap para drejt një akordi të mundshëm paqeje mes dy vendeve. Raportohet se pala iraniane ka kërkuar zyrtarisht lirimin e 12 miliardë dollarëve menjëherë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të përkohshme, ndërsa pjesa tjetër prej 12 miliardë dollarësh të lëvrohet në një fazë të mëvonshme.
Përtej kushteve financiare, Teherani ka lëshuar edhe paralajmërime të ashpra në rast se Shtetet e Bashkuara zgjedhin rrugën e ndërhyrjes ushtarake, duke theksuar se një hap i tillë do ta fuste SHBA-në në një “korridor të errët”. Rezaei bëri të ditur se në rast të një konflikti të hapur, Irani do ta shtrijë luftën përtej Gjirit Persik, duke zgjeruar operacionet ushtarake nga Ngushtica e Hormuzit deri në Oqeanin Indian, Ngushticën Bab al-Mandab, Detin e Kuq dhe atë Mesdhe. Ai shtoi se do t’i jepet një dimension i ri përplasjes duke sulmuar bazat amerikane, ndonëse vlerësoi se gjasat për një luftë të përgjithshme mbeten të vogla. Në rast të një pushtimi të mundshëm tokësor, zyrtari iranian paralajmëroi se bota do të njihet me kapacitetet reale të vendit, pasi fuqia e tyre tokësore është shumë herë më e madhe se ajo raketore.
Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë ndajnë një shqetësim të madh se çdo lëshim financiar në këtë fazë do të hiqte një nga pikat kryesore të presionit ndaj regjimit të Teheranit. Presidenti Donald Trump ka këmbëngulur që çdo marrëveshje e re duhet të jetë dukshëm më e rreptë se ai e vitit 2015. Trump po synon të shmangë me çdo kusht çdo veprim që mund të interpretohet si dorëzim i “paletave me para”, një shprehje që ai e ka përdorur shpesh për të kritikuar ashpër politikat e ish-presidentit Barack Obama ndaj Iranit.




