Ballina > Aktualitet > EKSKLUZIVE: Agron Nikçi flet për krizën në deponinë e Sferkës dhe zgjidhjen e saj

EKSKLUZIVE: Agron Nikçi flet për krizën në deponinë e Sferkës dhe zgjidhjen e saj

21 Jul 2026 Aktualitet

Në një deklaratë ekskluzive për INKLIK Media, Drejtori për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Komunën e Pejës, Agron Nikçi, ka folur për situatën aktuale në deponinë e Sferkës dhe hapat që po ndërmerren për menaxhimin e saj.

Sipas Nikçit, deponia ekzistuese ka vite që i ka tejkaluar kapacitetet e saj. Në këtë deponi depozitohen mbeturinat e pesë komunave: Pejës, Deçanit, Klinës, Istogut dhe Junikut.

Ai bëri të ditur se së fundmi në deponi ka pasur edhe zjarrvënie të qëllimshme nga persona të papërgjegjshëm. Duke qenë se deponia tashmë i ka tejkaluar kapacitetet e saj, kjo situatë e ka bërë edhe më të vështirë intervenimin për shuarjen e zjarrit.

Sipas tij, N.P.L. “Ambienti” SH.A., me të gjitha kapacitetet e saj, është duke punuar vazhdimisht për shuarjen e zjarrit, duke angazhuar operatorë dhe makineri për mbulimin e hapësirave me dhe, me qëllim të izolimit dhe fikjes së vatrave të zjarrit.

Nikçi theksoi se edhe Komuna e Pejës u ka dalë në ndihmë, duke subvencionuar angazhimin e operatorëve shtesë dhe rritjen e kapaciteteve për intervenim.

Sa i përket zgjidhjes afatgjatë, ai deklaroi se ndërtimi i deponisë së re është planifikuar prej shumë vitesh. Që nga viti 2020 ekziston marrëveshja që ajo të ndërtohet me fonde të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), me pjesëmarrjen financiare të Komunës së Pejës dhe, sipas marrëveshjes me Qeverinë, të kalojë në menaxhim të KMDK-së. Procedurat janë vonuar për shkak të sanksioneve që ka pasur Kosova, ndërsa pas përfundimit të tyre, KMDK ka nisur procedurat për përzgjedhjen e operatorit që do ta ndërtojë deponinë e re.

Ai shtoi se Komuna e Pejës do të participojë me 3 milionë euro në këtë projekt, ndërsa 1 milion euro tashmë është transferuar gjatë këtij viti.

“Presim që procedurat të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që deponia ekzistuese të mbyllet përfundimisht dhe ndërtimi i deponisë së re të fillojë pa vonesa të tjera”, thuhet në deklaratë.

Në fund, Nikçi shprehu keqardhje për situatën e krijuar në deponi dhe për ndotjen që po u shkaktohet banorëve të fshatrave përreth, duke theksuar se institucionet janë të përkushtuara që, në bashkëpunim me të gjitha palët përgjegjëse, kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt.

Lini një përgjigje