Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh kundër gjigantit teknologjik Samsung. Sipas padisë, kompania ka përdorur imazhin e saj në paketimet e televizorëve pa marrë leje dhe pa bërë asnjë pagesë përkatëse.
Ngjarja raportohet se ka nisur vitin e kaluar, kur Samsung filloi të përdorte një fotografi të këngëtares në ambalazhet e kartonit të produkteve të tyre. Edhe pse Dua Lipa kishte kërkuar ndërprerjen e kësaj praktike sapo u vura në dijeni, kompania thuhet se ka kthyer përgjigje negative.
Detajet kryesore të padisë:
- Përdorimi pa pëlqim: Në dokumentet gjyqësore theksohet se fytyra e këngëtares është përdorur në një fushatë masive marketingu pa dijeninë, pëlqimin apo kontrollin e saj.
- Përfitimi i pa drejtë: Padia pretendon se Samsung ka përfituar nga përshtypja e rreme se ylli i popit mbështet produktin e tyre. Si provë janë cituar reagime nga rrjeti social X, ku konsumatorët deklaronin se kishin blerë televizorin vetëm pasi kishin parë imazhin e saj në kuti.
- E drejta e autorit: Fotografia në fjalë është shkrepur në prapaskenat e festivalit Austin City Limits 2024, mbi të cilën këngëtarja mbron të drejtat e autorit.
- Shkeljet ligjore: Procesi përfshin akuza për shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të ligjit të Kalifornisë për publicitetin dhe shkelje të markës tregtare sipas Aktit federal Lanham.
Çështja është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit të Kalifornisë Qendrore, duke shënuar një tjetër përplasje të madhe ligjore midis ikonave të artit dhe korporatave të mëdha teknologjike.





