Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Pejës, e udhëhequr nga drejtoresha Xhenet Syka, ka ndarë një mirënjohje të veçantë për Prof. Fatbardh Gashin, Dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” (UNHZ).
Ky vlerësim vjen si shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje të sinqertë për kontributin e tij të çmuar dhe të jashtëzakonshëm në organizimin dhe realizimin me sukses të edicionit të VIII-të të “Javës Studentore”.
Sipas njoftimit zyrtar nga kjo drejtori, angazhimi dhe përkushtimi i treguar nga dekani Gashi kanë qenë një shtysë e fuqishme për jetën akademike dhe kulturore në qytet.
“Angazhimi, përkushtimi dhe mbështetja e tij kanë qenë një shtysë e rëndësishme në promovimin e aktiviteteve studentore, në zhvillimin e jetës kulturore dhe artistike, si dhe në krijimin e mundësive për shprehjen dhe afirmimin e talenteve të studentëve,” thuhet në vlerësimin e ndarë nga drejtoresha Syka.
Komuna e Pejës ka shprehur respektin e veçantë për këtë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve lokale dhe universitetit, duke e cilësuar “Javën Studentore” si një ngjarje me rëndësi të madhe për komunitetin dhe rininë pejane. Në përmbyllje, drejtoria ka falënderuar profesorin Gashi për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj platformave që promovojnë vlerat e reja artistike.






