Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës Xhenet Syka Kelmendi ka qëndruar sot në Sarajevë, ku me ftesë të Kryetarit të Komunës Stari Grad Sarajevo, Irfan Čengić, mori pjesë në punimet e Asamblesë Solemne të organizuar në kuadër të shënimit të Ditës së Qytetit të Vjetër të Sarajevës.
Në këtë vizitë zyrtare, ajo ishte e shoqëruar edhe nga Muamel Duolak dhe Raisa Nurković, me të cilët përcollën mesazhe të miqësisë, bashkëpunimit dhe lidhjeve të forta kulturore, historike e familjare ndërmjet komuniteteve.
Drejtoresha e DKRS theksoi se pjesëmarrja në aktivitete të tilla është një mundësi e rëndësishme për forcimin e urave të bashkëpunimit dhe afrimit ndërmjet qyteteve dhe popujve, duke vlerësuar mikpritjen dhe organizimin e autoriteteve në Sarajevë.
“Nga Sarajeva përcjellim urimet më të sinqerta për paqe, mirëkuptim dhe bashkëpunim ndërmjet popujve”, është mesazhi që u dha gjatë kësaj ngjarjeje solemne.
Kjo vizitë konsiderohet edhe një hap tjetër në fuqizimin e marrëdhënieve ndërkulturore dhe bashkëpunimit institucional mes Pejës dhe Sarajevës.





