Ballina > Bota > DRAMË NË GJERMANI / Krizë pengjesh në një bankë: Specialët rrethojnë zonën, helikopterët mbi qytet

DRAMË NË GJERMANI / Krizë pengjesh në një bankë: Specialët rrethojnë zonën, helikopterët mbi qytet

08 May 2026 Bota

Një operacion masiv policisë është duke u zhvilluar në qytetin gjerman Sinzig, pas shpërthimit të një krize pengjesh në një degë të “Volksbank”. Ngjarja ka nisur rreth orës 09:00 të mëngjesit dhe ka vënë në alarm autoritetet e sigurisë, përfshirë njësitë speciale (SEK) dhe mbështetjen nga ajri me helikopterë.

Sipas raportimeve të para nga mediat gjermane, gjithçka nisi kur një mjet i blinduar për transportin e parave u ndal para bankës. Në momentin që një prej punonjësve të sigurimit doli nga automjeti, u kërcënua nga një person i armatosur, i cili e detyroi të futej brenda.

Pengjet në kasafortën e bankës

Burimet bëjnë me dije se rrëmbyesi dhe punonjësi i sigurimit ndodhen aktualisht brenda trezorit (kasafortës) të bankës. Megjithatë, policia dyshon se brenda ndërtesës mund të ketë më shumë se një autor dhe disa pengje të tjerë, identiteti i të cilëve ende nuk është konfirmuar.

Policia: Situata është nën kontroll, por kritike

Zëdhënësi i policisë ka deklaruar se për momentin situata konsiderohet “stabile” për sa i përket perimetrit të sigurisë.

“Besojmë se brenda bankës ka disa autorë dhe pengje. Për qytetarët jashtë zonës së rrethuar nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë,” u shpreh ai, duke refuzuar të japë detaje mbi numrin e saktë të personave për shkaqe taktike dhe për të shmangur përgjimin nga autorët.

Qendra e qytetit e bllokuar plotësisht

I gjithë stacioni policor i zonës dhe forca shtesë nga Koblenz-i dhe Bonn-i kanë rrethuar qendrën e Sinzig-ut. Banorëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet në këtë zonë dhe të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara në rrjetet sociale që mund të dëmtojnë operacionin.

Shumë pikëpyetje mbi autorët

Deri më tani mbetet e paqartë nëse autorët janë të armatosur me armë zjarri apo mjete të tjera shpërthyese. Ka pasur zëra se disa prej tyre mund të jenë arratisur para rrethimit, por policia nuk i ka konfirmuar këto pretendime, duke kërkuar durim deri në një brifing të dytë zyrtar.

Sinzig ndodhet në luginën e lumit Ahr, rreth 20 kilometra nga Bonni, dhe kjo ngjarje ka tronditur komunitetin e qetë të kësaj krahine.

Lini një përgjigje