Për nder të 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Pejës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Taulant Kelmendi, i shoqëruar nga asamblistë dhe anëtarë të këtij subjekti politik, kanë zhvilluar homazhe pranë memorialeve të dëshmorëve dhe martirëve të kombit.
Gjatë këtij nderimi institucional, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kujtuan sakrificën sublime të të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Në mesazhin e tyre u potencua se lavdia për dëshmorët dhe martirët mbetet e përjetshme, ndërsa u nënvizua se ruajtja e vlerave të luftës dhe zhvillimi i mëtejshëm i lirisë mbetet një përgjegjësi e madhe për brezat e rinj.
Në përmbyllje të këtyre homazheve, delegacioni i VV-së u ka drejtuar një urim të përzemërt të gjithë qytetarëve të Pejës për këtë përvjetor të rëndësishëm të çlirimit të qytetit, duke bërë thirrje për bashkim dhe angazhim në zhvillimin e vendit.





