Ballina > Vendi > Distancohem nga çdo ndërhyrje në vullnetin e qytetarëve

Distancohem nga çdo ndërhyrje në vullnetin e qytetarëve

29 Jan 2026 Vendi

Taulant Kelmendi reagon pas rinumërimit në Pejë: Distancohem nga çdo ndërhyrje në vullnetin e qytetarëve

Pejë – Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka reaguar pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave në Komunën e Pejës, ku sipas rezultateve të reja ai ka pësuar një ulje prej rreth 955 votash krahasuar me numërimin paraprak.

Në një reagim publik, Kelmendi ka theksuar se distancohet plotësisht nga çdo formë e ndërhyrjes në procesin zgjedhor, duke e cilësuar një veprim të tillë si të papranueshëm dhe të dënueshëm me ligj.

Ai ka bërë të ditur se nuk ka kërkuar dhe as nuk ka qenë në dijeni për ndonjë tentativë për ndikim në votë, pavarësisht nëse një veprim i tillë mund të jetë bërë me qëllim mbështetjeje ndaj tij.

“Çdo ndërhyrje në vullnetin e lirë të qytetarëve përbën vepër penale dhe unë distancohem fuqishëm nga çfarëdo forme e tillë. Në Komunën e Pejës, votat u numëruan të fundit dhe në atë moment mbështetja për mua dukej e mjaftueshme për të siguruar mandatin,” – ka shkruar Kelmendi.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur procesi i rinumërimit, i organizuar nga institucionet zgjedhore, ka nxjerrë në pah dallime mes rezultateve fillestare dhe atyre të verifikuara pas kontrollit të detajuar.

Procesi i rinumërimit ka rikthyer vëmendjen publike mbi transparencën dhe integritetin e zgjedhjeve, ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të sqarojnë më tej arsyet e mospërputhjeve në rezultate.

Lini një përgjigje