Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ende nuk është gjetur trupi i të zhdukurit A. N., rast ky që çoi në arrestimin e deridjeshëm të shefit të Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, i cili më parë ka shërbyer edhe si këshilltar i tij.
Vuçiq u ka bërë thirrje mediave që të mos përhapin informacione të paverifikuara, pasi disa prej tyre raportuan se trupi është gjetur. Ai theksoi se kërkimet janë intensive dhe se një numër i madh pjesëtarësh të policisë janë të përfshirë në terren, duke e cilësuar si “imbecile” idenë se mungesa e trupit nënkupton mungesën e krimit.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka marrë në pyetje Veselin Miliqin nën dyshimin se, si shef i Policisë së Beogradit, ka kryer vepra penale për të fshehur një tentim vrasjeje të rëndë që ka ndodhur më 12 maj 2026 në një restorant në Senjak. Pas kësaj ngjarjeje, saktësisht një ditë më vonë, u raportua zhdukja e A.N.
Miliq akuzohet zyrtarisht për mosraportim të veprës penale dhe ndihmë ndaj kryesit pas kryerjes së veprës. Sipas raportimeve, ai dyshohet se kishte organizuar njëaucë takim mes dy figurave të botës së krimit për të sqaruar mosmarrëveshjet, takim i cili përfundoi me të shtëna dhe vrasjen e një personi. Miliq dyshohet se ishte i pranishëm gjatë ngjarjes, ndërsa bashkë me të janë prangosur edhe shtatë persona të tjerë.




