Një pilot i aviacionit luftarak amerikan, i cili u shpëtua nga forcat speciale pasi avioni i tij u rrëzua mbi Iran gjatë muajit prill, ka përshkruar një skenë rrëqethëse që kishte parë përpara se të katapultohej. Ai ka dëshmuar se një numër i madh dronësh iranianë notonin në ajër duke u zhvendosur si një trup i vetëm, në një formacion që ngjante me një kandil deti.
Ky rrëfim, i cili nuk ishte bërë i ditur më parë për publikun, u nda nga piloti i gjuajtësit F-15 me zyrtarët e inteligjencës gjatë marrjes në pyetje pas incidentit. Pretendimet e tij nxitën menjëherë debate të ashpra brenda komunitetit amerikan të zbulimit, ku shumë prej dilemave mbeten ende të pazgjidhura.
Nëse aviatori ka parë vërtet atë që ka përshkruar, një formacion dronësh që lëviz në mënyrë plotësisht të sinkronizuar, kjo do të dëshmonte një hap gjigant përpara në aftësitë ushtarake dhe teknologjike të Iranit. Një burim i njohur me dëshminë e pilotit tha për mediat se disa dronë të ndërlidhur lëviznin si një mekanizëm i vetëm, ku mjetet më të vogla fluturuese qëndronin poshtë dronëve më të mëdhenj duke krijuar imazhin e këmbëve, një pamje kjo që u cilësua prej tij si një teknologji krejtësisht jashtëtokësore. Një burim tjetër shtoi se piloti kishte parë në ajër diçka që i ngjante një fushë minash të përbërë nga dronët.
Ndonëse shkaku i saktë i rrëzimit të avionit F-15 është ende nën hetim, raportet e para sugjerojnë se pikërisht ky formacion dronësh i mundësoi Iranit të rrëzonte avionin amerikan, duke shënuar kështu herën e parë që një mjet fluturues i SHBA-së rrëzohet mbi territorin iranian gjatë këtij konflikti.
Në bordin e avionit ndodheshin dy anëtarë të ekuipazhit, piloti dhe oficeri i sistemeve të armatimit. Pas rënies, forcat amerikane nisën menjëherë një mision shpëtimi. Piloti u nxor pak orë pas katapultimit, ndërsa oficeri u fsheh për më shumë se një ditë në male për t’i shpëtuar kapjes nga iranianët, përpara se të shpëtohej edhe ai me sukses. Nuk dihet nëse edhe oficeri e ka parë formacionin misterioz. Gjatë këtij operacioni shpëtimi u rrëzua edhe një avion i dytë i tipit A-10, por piloti i tij arriti të katapultohej i sigurt jashtë hapësirës ajrore të Iranit.
Megjithatë, inteligjenca amerikane e ka të vështirë ta interpretojë këtë dëshmi dhe shpreh dyshime nëse piloti mund ta kujtojë saktë incidentin, pasi gjatë përplasjes ai pësoi një tronditje në tru. Ndër të tjera, kjo ishte hera e dytë që ai rrëzohej në këtë luftë, pasi në fillim të konfliktit u godit gabimisht nga forcat kuvajtjane përmes asaj që njihet si “zjarr miqësor”. Përballë pyetjeve këmbëngulëse të hetuesve, dilema mbetet e hapur nëse piloti dëshmoi një teknologji të përparuar për të cilën SHBA-ja nuk kishte dijeni, një testim të një arme të re, apo thjesht një rrenë optike.
Këto dyshime mbi programin iranian të dronëve vijnë në një moment kur Washingtoni dhe Teherani po negociojnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, ndërsa sapo ka nisur afati prej 60 ditësh për bisedimet në kuadër të armëpushimit të arritur. Edhe pse agjencitë amerikane të inteligjencës nuk kishin vlerësuar më parë se Irani gëzon aftësi të tilla specifike, raportet e shumta sugjerojnë se ky vend ka marrë ndihmë nga Kina dhe Rusia për zhvillimin e teknologjisë së dronëve.
Termi profesional për aftësinë që përshkroi piloti është “rrjetëzimi mesh një-me-shumë”, që i mundëson një operatori të vetëm të kontrollojë disa dronë njëkohësisht. Besohet se Rusia dhe Kina e zotërojnë tashmë këtë teknologji, ndaj çdo avancim i programit iranian të dronëve përbën një shqetësim të jashtëzakonshëm për forcat amerikane dhe aleatët e tyre në rajon.
Ekspertët e luftës me dronë dhe të modernizimit të mbrojtjes paralajmërojnë se do të duhen shuma të mëdha parash, burime dhe fatkeqësisht jetë njerëzish për t’u mbrojtur nga sulme kaq mirë të koordinuara. Sipas tyre, nëse dronët mund të organizohen vetë në një formë të caktuar, të mbajnë atë formacion, të transportojnë eksplozivë dhe të ruajnë rezerva për sulme të njëpasnjëshme, bëhet fjalë për një qasje jashtëzakonisht të fuqishme dhe vdekjeprurëse në fushëbetejë./klix,ba/




