Kriza te Chelsea ka sjellë viktimën e radhës. Klubi londinez ka vendosur të shkarkojë menaxherin Liam Rosenior, duke i dhënë fund periudhës së tij zhgënjyese në krye të “Bluve” të Londrës. Vendimi erdhi menjëherë pas humbjes së pestë radhazi, një ecuri që e bëri të pamundur qëndrimin e tij më tej në “Stamford Bridge”.
Rosenior, i cili mori drejtimin e skuadrës me shpresa të mëdha, nuk arriti të gjente formulën e suksesit, duke u larguar pas më pak se katër muajsh në detyrë. Nën drejtimin e tij, Chelsea pësoi një rënie të lirë në rezultate, çka detyroi bordin e klubit të ndërhynte për të shpëtuar sezonin.
Tifozët e Chelsea-t kishin filluar të shfaqnin pakënaqësinë e tyre hapur, dhe humbja e fundit ishte “pika që mbushi gotën”. Klubi tani është në kërkim të një emri të ri që do të tentojë të kthejë stabilitetin në skuadër dhe të nxjerrë ekipin nga kjo krizë e thellë rezultatesh.




