Breshkat janë ndër speciet më të lashta të planetit dhe luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrave natyrorë. Megjithatë, shumë prej tyre vijojnë të përballen me kërcënime që lidhen me aktivitetin njerëzor.
Kërkuesja shkencore Dr. Vilma Piroli thekson rëndësinë e breshkave në natyrë dhe kontributin e tyre në biodiversitet.
Përveç faktit që ato janë pjesë e zinxhirëve ushqimor dhe rrjetave ushqimore, shpesh herë janë shpërndarëse të farave. Janë, le të themi, si inxhinierë të mjedisit edhe të natyrës”, tha ajo.
Ndërkohë, mbrojtja ligjore e tyre mbetet thelbësore për ruajtjen e këtyre specieve.
“Statusi i tyre është i kërcënuar. Ato merren dhe tregtohen dhe gjithashtu mund të përdoren si kafshë shtëpiake, por gjithashtu të konsumohen. Janë disa teori të mjekësisë alternative. Sakrifikimi i këtyre gjallesave po bëhet kotë, sepse praktikisht nuk, të paktën bazë shkencore nuk ka që ato ndihmojnë në këto problematika shëndetësore”, u shpreh ajo.
Mesazhi i saj është i qartë për më shumë ndërgjegjësim dhe respekt ndaj faunës së egër.
“Do i ftoja të gjithë të jemi më të dashur me natyrën, të kontribuojmë sadopak, ta fillojmë ndryshimin nga vetja, sepse duke kontribuar secili nga ne pak në mbrojtjen e gjallesave dhe të natyrës, do të bëhemi shumë dhe do mund ta mbrojmë atë”, theksoi ajo.
Ruajtja e breshkave konsiderohet një hallkë e rëndësishme në mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve natyrore.
/rtsh.al/





