Agjencia për Sigurinë Ushqimore e Bosnjë e Hercegovinës është njoftuar përmes Sistemit të Shpejtë të Alarmimit për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë të Bashkimit Evropian (EU RASFF) se në tregun e vendit janë shpërndarë disa seri të formulës për foshnja “Aptamil”.
Sipas njoftimit zyrtar, në këto produkte është konfirmuar prania e cereulidës, toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, në sasi që mund të paraqesë rrezik për shëndetin e konsumatorëve, veçanërisht për foshnjat.
Bëhet fjalë për formula nga kategoria e qumështit dhe produkteve të qumështit, të prodhuara nga kompania Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), me seli në Irlandë. Si rrezik potencial është identifikuar kontaminimi mikrobiologjik, ndërsa niveli i rrezikut është vlerësuar si potencialisht serioz.
Në Bashkimin Evropian tashmë janë ndërmarrë masa për tërheqjen dhe rikthimin e produkteve nga tregu, si dhe për njoftimin e konsumatorëve, ndërsa autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë po ndjekin situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin përdorimin e produkteve të prekura.




