Bordi i Paqes ka shënuar një moment të rëndësishëm në angazhimin e tij global duke lansuar zyrtarisht uebfaqen institucionale, e cila synon të shërbejë si pikë referimi për vizionin, misionin dhe veprimtarinë e këtij mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen.
Platforma e re jo vetëm që prezanton strukturën dhe qasjen e Bordit, por gjithashtu bën publike listën e 28 shteteve që kanë kontribuar në themelimin e tij. Në mesin e tyre përfshihen edhe Kosova dhe Shqipëria, duke konfirmuar rolin e tyre aktiv në një iniciativë që synon ndërtimin e një arkitekture më funksionale të paqes në nivel global.
Në deklaratën themeluese të publikuar në uebfaqe, Bordi i Paqes thekson se paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi formula të konsumuara dhe struktura që kanë dështuar të prodhojnë rezultate konkrete. Përkundrazi, sipas Bordit, nevojitet një qasje pragmatike, bashkëpunuese dhe guximi për të ndryshuar mënyrën tradicionale të të menduarit dhe vepruarit në fushën e paqebërjes.
Dokumenti vë theks të veçantë në fuqizimin e qytetarëve si element kyç për paqen afatgjatë. Sipas këtij vizioni, stabiliteti i qëndrueshëm arrihet atëherë kur shoqëritë marrin përgjegjësi për të ardhmen e tyre, përmes partneriteteve të balancuara, të orientuara nga rezultatet dhe të bazuara në ndarjen e drejtë të përgjegjësive dhe barrës ndërmjet aktorëve ndërkombëtarë dhe lokalë.
Një tjetër mesazh i fortë i Bordit lidhet me nevojën për një mekanizëm ndërkombëtar më fleksibël dhe më efikas në menaxhimin e krizave dhe ndërtimin e paqes. Në këtë kontekst, kritikohet qasja që, sipas Bordit, krijon varësi afatgjata dhe institucionalizon krizën, në vend se ta adresojë atë në rrënjë dhe ta tejkalojë.
Përveç Kosovës dhe Shqipërisë, në listën e shteteve themeluese figurojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, si dhe vende të tjera nga Europa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.
Lansimi i uebfaqes konsiderohet një hap konkret drejt rritjes së transparencës dhe koordinimit ndërkombëtar, duke sinjalizuar ambicien e Bordit të Paqes për të ndërtuar një model të ri bashkëpunimi global, të fokusuar në zgjidhje reale dhe ndikim të matshëm në terren.




