Ballina > Rajoni > Bashkëpunimi kufitar, qeveria miraton në parim ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit me Maqedoninë e Veriut

Bashkëpunimi kufitar, qeveria miraton në parim ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit me Maqedoninë e Veriut

19 Jun 2026 Rajoni

Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen dypalëshe me qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të unifikuar procedurat e kontrollit në brezin kufitar. Vendimi parashikon krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit dhe realizimin e kontrolleve të integruara ndërmjet strukturave të të dyja vendeve.

Ky vendim është ndërmarrë me propozimin të Ministrit të Punëve të Brendshme, duke synuar lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave si dhe rritjen e sigurisë kufitare.

Sipas tekstit zyrtar të vendimit të qeverisë, marrëveshja përcakton një kuadër të ri operacional për menaxhimin e kufirit ndërmjet dy shteteve fqinje.

 “Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.”, thuhet në vendim.  

Përveç përcaktimit të lokacioneve fizike, dokumenti autorizon zyrtarisht autoritetet përgjegjëse për të bashkëndarë procedurat e verifikimit.

Marrëveshja synon gjithashtu “kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.”

Në mbyllje të dokumentit, ekzekutivi ka parashikuar efektivitet të menjëhershëm për këtë vendim.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”, thuhet në vendim.

/rtsh.al/

Lini një përgjigje