BARCELONA i ka ofruar Robert Lewandowskit vazhdimin e kontratës, por me një pagë më të ulët, gjë që ka nxitur reagime të ashpra në vendlindjen e tij, Poloni. Ndërsa e ardhmja e sulmuesit polak në “Camp Nou” është ende në peshore, shumë njerëz në atdheun e tij e konsiderojnë ofertën e Barcelonës si të papërshtatshme dhe i bëjnë thirrje atij të largohet nga klubi.
Sipas mediave spanjolle, klubi katalanas i ka propozuar Lewandowskit një zgjatje njëvjeçare të kontratës me kushte financiare më të dobëta. Në të njëjtën kohë, për golashënuesin polak ekziston ende interes nga klube të tjera që i ofrojnë mundësinë për të vazhduar lojën në nivelin më të lartë. Ndonëse thuhet se Lewandowski ndihet rehat në klub dhe në qytet, presionet e jashtme po bëhen gjithnjë e më të forta.
Kritika të ashpra nga Polonia
Në Poloni, diskutimi për fatin e tij është kthyer në temë kryesore. Mbizotëron mendimi se për të do të ishte më mirë të ndërronte ambient dhe të shkonte në një skuadër ku do t’i garantohej roli kryesor në vitet e ardhshme dhe ku do të mund të vazhdonte të dëshmonte cilësinë e tij si lojtar.
Një nga kritikët më të zhurmshëm është ish-reprezentuesi polak, Jan Tomaszewski, i cili pa hezitim e këshilloi Lewandowskin të largohej.
“Kemi bërë thirrje për këtë temë para tre apo katër muajsh. Robert, bëhu burrë. Ti nuk je dikush i zakonshëm. Ti je polaku më i njohur në histori, dhe lejon që të të trajtojnë kështu te Barça?”, deklaroi ai për gazetën Super Express.
Qëndrimi i Barcelonës
Nga ana tjetër, klubi katalanas këmbëngul në qëndrimin e tij. Ata e mbajtën premtimin për t’i ofruar vazhdimin e bashkëpunimit, por ia bënë të qartë se roli i tij në skuadër do të reduktohej dhe se vendi në formacionin bazë si sulmues qendre nuk do t’i garantohej më.
Ky trend po vërehet që këtë sezon, duke qenë se trajneri Hansi Flick ka vendosur t’i japë më pak minuta në ndeshjet kyçe.
Lewandowski ka shënuar 118 gola dhe ka dhënë 23 asistime në 187 ndeshje për Barcelonën, me të cilën ka fituar dy tituj të La Ligës që nga ardhja e tij në vitin 2022. Para kësaj, ai fitoi tituj kampionati në Bundesligë me Borussia Dortmund (2) dhe Bayern Munich (8), me të cilët ishte edhe fitues i Ligës së Kampionëve në sezonin 2019/2020. Gjatë karrierës së tij, ai ka shënuar më shumë se 700 gola.





