Nga një aheng familjar në Mal të Zi, Husnija Beshkoviq, në fundjavë po kthehej në shtëpinë e tij në Pejë.
Pjesën e fundit të rrugës e bëri në këmbë, pasi kalimi është i bllokuar me katër piramida betoni, të cilat, përveçse që pengojnë qarkullimin, shënojnë edhe kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi.
I lindur në Plavë e banor i Pejës, Beshkoviqi thotë se mungesa e një pike kufitare në Çakorr dhe mos rregullimi i rrugës nga ana e Kosovës e kanë bërë më të vështirë lidhjen me vendlindjen.
Në anën e Malit të Zi, rruga është e asfaltuar.
“Po të mos ishin këto, ne i themi, piramida unë përditë do të vija. Por, qe 27 vjet këto piramida janë këtu, këto bllokada, piramida i themi edhe me të vërtetë na kanë bllokuar ekonomikisht, familjarisht e në të gjitha anët na kanë bllokuar me këto piramida”, ka thënë Beshkoviq.
Rruga lidh Pejën me Plavën.
Segmenti që kalon nëpër Grykën e Rugovës është i asfaltuar deri në fshatin Kuqishtë, ndërsa rreth dy kilometrat e fundit, deri në kufi me Malin e Zi, janë të paasfaltuara.
Sipas Beshkoviqit, mungesa e qarkullimit po dobëson gradualisht lidhjet mes njerëzve në të dy anët e kufirit.
“Jo veç unë, por Peja, Deçani, Plava, Gucia i kemi lidhjet familjare, lidhjet tradicionale, lidhjet ekonomike dhe të gjitha këto lidhje, dita e ditës po hollohen”, ka thënë ai.
Edhe Agron Nikqi nga Shtupeqi i Madh deklaron se hapja e një pike kufitare në Qakorr do të sillte përfitime për banorët e 16 fshatrave të Rugovës.
“Kjo është një ngecje e një zhvillimi të hovshëm të trevës tonë sepse nuk qarkullojnë turistë, nuk qarkullojnë familjarë, nuk lëvizin miq e nipa e dajë të cilët janë të lidhur nga Plava e Gucia, Vuthaj në atë pjesë ku janë nipat e dajat të lidhur me këtë pjesën tonë”, ka thënë Nikqi.




