Ballina > Rajoni > Bajraktari: Ulqini po përballet me premtime boshe në prag të sezonit turistik

Bajraktari: Ulqini po përballet me premtime boshe në prag të sezonit turistik

10 Jul 2026 Rajoni

Kryetari i Degës së URA-së në Ulqin, Omer Bajraktari, ka kritikuar qeverisjen lokale, duke thënë se në prag të kulmit të sezonit turistik qytetarët po përballen më shumë me premtime politike sesa me projekte konkrete për zhvillimin e qytetit.

Sipas Bajraktarit, shumë nga akterët politikë që kanë qenë pjesë e pushtetit për rreth dy dekada vazhdojnë të premtojnë projekte si rrugë, marina, ura dhe zhvillimin e Kripores së Ulqinit, por pa rezultate të prekshme.

Ai tha se qytetarët dëgjojnë çdo ditë premtime për zhvillimin e Ulqinit, ndërsa, sipas tij, arritjet reale të qeverisjes mbeten të kufizuara.

Bajraktari ngriti shqetësimin edhe për mosfunksionalizimin e pikës kufitare detare në Skelën e Madhe, poshtë mureve të Qytetit të Vjetër, e cila, sipas tij, prej tre vitesh nuk është hapur për qarkullim.

Ai kujtoi se kjo pikë ishte hapur pas disa dekadash si hapi i parë për rikthimin e Ulqinit në hartën e turizmit nautik të Malit të Zi dhe për pasurimin e ofertës turistike të qytetit.

Sipas Bajraktarit, edhe pse pika kufitare nuk funksiononte në kushte ideale, ajo përfaqësonte një fillim të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit detar në Ulqin, por pas vetëm një sezoni ajo nuk u vu më në funksion.

Në fund, ai theksoi se arsyet e kësaj situate janë të njohura për të gjithë ata që, sipas tij, e duan Ulqinin dhe interesin publik mbi interesat personale.

Lini një përgjigje