Me rastin e Ditës së Zjarrfikësve, Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Luan Voci, ka uruar të gjithë zjarrfikësit përmes një mesazhi domethënës, duke vlerësuar lart punën e tyre fisnike, humane dhe sfiduese në shërbim të qytetarëve.
Ai theksoi se zjarrfikësit janë simbol i guximit, sakrificës dhe përkushtimit, duke qenë çdoherë në vijën e parë për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, shpeshherë duke rrezikuar edhe vetë jetën e tyre.
“Zjarrfikësit janë heronjtë e heshtur të përditshmërisë sonë. Ata hyjnë aty ku të tjerët largohen, përballen me rrezikun pa hezitim dhe japin maksimumin për sigurinë e qytetarëve,” thuhet ndër të tjera në mesazhin urues të Vocit.
Në këtë ditë të veçantë, ai shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e shërbimit zjarrfikës në Pejë dhe më gjerë, duke u dëshiruar shëndet, suksese dhe sa më pak raste emergjente në detyrën e tyre fisnike.
Dita e Zjarrfikësve shënohet si një moment respekti dhe falënderimi për të gjithë ata që çdo ditë janë të gatshëm të përballen me sfida të mëdha për sigurinë e qytetarëve.




