Familja Begolli ka ndarë me publikun një mesazh thellësisht falënderues dhe emocional, duke konfirmuar se djali i tyre, Andi, ka kaluar me sukses një nga sfidat më të rënda shëndetësore të jetës së tij dhe sot ndodhet në gjendje të përmirësuar.
Sipas deklaratës së Astrit Begollit, Andi është zgjuar mbrëmë nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhej, ndërsa sot është më mirë, megjithëse ende i lodhur dhe i raskapitur nga gjithë procesi i kaluar. Familja shpreh se momenti i zgjimit të tij ka qenë një lehtësim i madh pas ditësh të mbushura me ankth dhe frikë për pasojat që mund të kishte gjendja e tij shëndetësore.
Pas takimit me profesorin Petrela, Andi pritet t’i nënshtrohet një testi të avancuar gjenetik, të njohur si testi EZH, i cili nuk realizohet në vendet e Ballkanit dhe duhet të dërgohet jashtë vendit. Rezultatet e këtij testi do të jenë vendimtare për të përcaktuar hapat e mëtejmë të trajtimit dhe për të identifikuar gjenin që ka shkaktuar anomalinë shëndetësore.
Familja bën të ditur se Andi do të jetë nën terapi gjatë gjithë jetës dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve të rregullta, përfshirë rezonancën magnetike një deri dy herë në vit, për të monitoruar vazhdimisht gjendjen e tij.
Në mesazhin e tyre, Astrit dhe Vlora Begolli theksojnë se falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qytetarëve, bamirësve dhe njerëzve me zemër të madhe nga e gjithë bota, janë arritur të grumbullohen mjetet e nevojshme për shpenzimet spitalore dhe testet mjekësore. Për këtë arsye, ata u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos dërgojnë më mjete financiare.
“Për ne, kjo ka qenë sfida më e madhe e jetës, sikur të ngjiteshim në një ndërtesë 100-katëshe pa shkallë. Secili nga ju, bamirës, i ka vendosur nga një shkallë dhe na ka ndihmuar të arrijmë deri në majë”, thuhet në mesazhin e familjes Begolli.
Në fund, familja shpreh mirënjohje të thellë dhe respekt maksimal për të gjithë ata që kontribuuan në këtë betejë jetike, duke theksuar se falë ndihmës dhe solidaritetit të tyre, Andi sot është gjallë dhe në proces rikuperimi.




