Asamblistët e Kuvendit Komunal të Pejës janë pajisur sot me laptopë të markës HP, të cilët do t’u shërbejnë për kryerjen e detyrave dhe punës së tyre në kuadër të mandatit si anëtarë të kuvendit.
Pajisja me laptopë është realizuar përmes procedurave të rregullta të prokurimit publik. Vlera e kontratës publike për furnizimin me këto pajisje ka qenë rreth 20 mijë euro.

Ndërkohë, seanca e sotme, e gjashta me radhë e Kuvendit Komunal të Pejës, u karakterizua me debate dhe tensione mes asamblistëve, duke mos kaluar pa përplasje verbale.
Pas përfundimit të kësaj seance, Kuvendi Komunal nuk do të mbajë mbledhje gjatë muajit gusht, pasi asamblistët do të jenë në pushimin veror.




