Art Gashi ka njoftuar zyrtarisht dorëheqjen nga roli i tij në KB Peja, duke i dhënë fund një rrugëtimi mbi njëdekadësh të lidhur ngushtë me klubin pejan.
Në komunikatën e publikuar, Gashi thekson se që nga viti 2011 ka dhënë gjithçka për KB Pejën – kohë, energji dhe shpirt – duke e përjetuar çdo fitore si tifoz dhe çdo humbje si përgjegjësi personale. Vendimi për t’u larguar, sipas tij, vjen pas rezultateve të fundit dhe si respekt ndaj zërit të tifozëve.
“KB Peja mbi gjithçka. Mbi emra, mbi role dhe mbi interesa personale,” thekson Gashi, duke nënvizuar se çdo vendim i marrë gjatë këtij rrugëtimi ka pasur vetëm një qëllim: të mirën e klubit dhe të ardhmen e tij.
Ai e përshkruan KB Pejën jo vetëm si një klub basketbolli, por si emocion të qytetit, zërin e tribunave dhe krenarinë e Pejës, duke shtuar se dashuria për klubin matet me sakrificë dhe përkushtim të pakushtëzuar.
Në fund, Art Gashi shprehet se shërbimi ndaj KB Pejës ka qenë nderi më i madh i jetës së tij profesionale, ndërsa u uron lojtarëve, stafit, kryesisë dhe tifozëve suksese në vazhdim, duke theksuar se KB Peja do të mbetet gjithmonë pjesë e zemrës së tij.




