Spanja triumfoi mbrëmë në finalen e madhe të Kupës së Botës, duke mposhtur Argjentinën me rezultat 1:0 dhe duke siguruar titullin e dytë botëror në histori.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Ferran Torres në minutën e 106-të të vazhdimeve, duke i dhënë trofeun kombëtares spanjolle.
Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit nisi festa e madhe e lojtarëve të Spanjës, por më pas pati edhe momente tensioni mes futbollistëve të të dyja skuadrave.
Sipas mediave spanjolle, një nga incidentet nisi kur mbrojtësi argjentinas Nahuel Molina reagoi ndaj mesfushorit spanjoll Rodri, i cili po afrohej drejt bashkëlojtarëve për të festuar suksesin më të madh në karrierën e tij.
Në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale shihet momenti kur Molina prek me dorë fytyrën e Rodrit, pas së cilës situata u tensionua dhe u krijua një përplasje mes lojtarëve.
Veprimi i mbrojtësit të Atletico Madridit ka shkaktuar reagime të shumta në Spanjë, ndërsa disa media e kanë kritikuar sjelljen e tij pas përfundimit të finales.
Sipas raportimeve, FIFA pritet të shqyrtojë pamjet e incidentit dhe të vendosë nëse do të ketë masa disiplinore ndaj lojtarëve të përfshirë.




