Ballina > Aktualitet > Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti marrin pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Camp Bondsteel

Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti marrin pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës në Camp Bondsteel

29 Jun 2026 Aktualitet

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, morën pjesë në ceremoninë e pranimit të komandës së U.S. Army Area Support Group Balkans, e mbajtur në Camp Bondsteel.

Gjatë ceremonisë, koloneli Kurt A. Rorvik mori zyrtarisht detyrën e komandantit të Area Support Group Balkans, duke pasuar komandantin në largim.

Në një postim në Facebook, Haxhiu vlerësoi shërbimin dhe përkushtimin e komandantit në largim, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm të Camp Bondsteel me institucionet e sigurisë, autoritetet civile dhe qytetarët e Kosovës.

Ajo i uroi suksese kolonelit Rorvik në detyrën e re, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet komandës së Camp Bondsteel dhe institucioneve të Republikës së Kosovës do të vazhdojë të forcohet në shërbim të sigurisë së vendit, stabilitetit rajonal dhe mirëqenies së qytetarëve.

Haxhiu ritheksoi gjithashtu mirënjohjen e Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Forcave të Armatosura Amerikane për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e vendit.

Lini një përgjigje