Ballina > Bota > Akuzat ndaj kreut të FIFA-s: “Infantino gënjeu!” – Hotelet në SHBA pa rezervime për Botërorin

Akuzat ndaj kreut të FIFA-s: “Infantino gënjeu!” – Hotelet në SHBA pa rezervime për Botërorin

06 May 2026 Bota

FIFA e prezantoi Botërorin e ardhshëm si një motor të fuqishëm ekonomik për Shtetet e Bashkuara, por vetëm pesë javë para fillimit të turneut, industria e hotelerisë po jep alarmin. Rezervimet në qytetet mikpritëse nuk po tregojnë asnjë rritje, duke mbetur në nivelet e një vere të zakonshme, ose në disa raste, edhe më dobët.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga Forbes, shumë hotelierë po e përshkruajnë kompeticionin si një “ngjarje pa efekt real” në ekonominë e tyre.

Rezervime të dobëta në shumicën e qyteteve

Një sondazh i Shoqatës Amerikane të Hoteleve dhe Akomodimit (AHLA) zbuloi se rreth 80% e hotelierëve në 11 qytetet nikoqire raportojnë rezervime nën parashikimet fillestare. Vetëm një e katërta e të anketuarve kanë vërejtur një rritje domethënëse, kryesisht në qytetet që shërbejnë si baza stërvitore për kombëtaret.

Analisti i tregut, Jan Freitag, ishte i ashpër ndaj premtimeve të kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili vitin e kaluar e krahasoi Botërorin me “104 Super Bowl” të mbledhur bashkë. “Ajo deklaratë nuk ishte e vërtetë kur u dha, dhe nuk do të bëhet e vërtetë as tani,” tha Freitag për Forbes.

Pengesat me vizat dhe gjeopolitika

FIFA kishte parashikuar një përfitim ekonomik prej 30.5 miliardë dollarësh, duke u bazuar te miliona turistë ndërkombëtarë. Megjithatë, realiteti është ndryshe. Rreth 70% e hotelierëve thonë se procedurat e vështira për viza dhe shqetësimet gjeopolitike kanë ulur ndjeshëm kërkesën nga jashtë.

Për shkak të përmasave të turneut, që shtrihet në 16 qytete dhe tre shtete (SHBA, Kanada, Meksikë), udhëtimet janë bërë më të kushtueshme dhe logjistikisht më të komplikuara për tifozët e huaj.

Gjendja sipas qyteteve: Nga dëshpërimi te optimizmi

Situata ndryshon varësisht nga vendndodhja, por trendi i përgjithshëm mbetet shqetësues:

  • Kansas City: Zhgënjimi më i madh, me 90% të hoteleve që raportojnë rezervime më të dobëta se zakonisht.
  • Boston, Filadelfia, Seattle: Rreth 80% e hoteleve e quajnë turneun një “jo-ngjarje”.
  • Los Angeles & New York: Rezervimet janë në nivelet e një vere normale, pa asnjë rritje nga Botërori.
  • Miami & Atlanta: Të vetmet qytete me optimizëm, ku mbi 50% e hoteleve raportojnë shifra më të larta se vitet e kaluara.

Me afrimin e ndeshjeve të qershorit, koha po mbaron për tifozët e huaj që kanë nevojë për viza. Shpresa e fundit e hotelierëve mbetet te tifozët amerikanë dhe komunitetet e emigrantëve brenda SHBA-së që mund të vendosin të ndjekin ndeshjet në momentin e fundit.

Lini një përgjigje