Kryetarja e partisë së të djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), Alice Weidel, ka deklaruar gjatë intervistës verore për transmetuesin publik gjerman ZDF se, nëse partia e saj bëhet pjesë e qeverisë federale, do të avokonte për daljen e Gjermanisë nga Eurozona dhe hapësira Schengen.
Në të njëjtën kohë, ajo kritikoi ashpër Bashkimin mekatinar-demokrat (CDU), duke pretenduar se kjo parti, për shkak të refuzimit të bashkëpunimit me AfD-në, nuk do të mund të fitojë më në zgjedhjet federale.
Weidel e përshkroi euron si një valutë “të paqëndrueshme” dhe “të mekur”, duke theksuar se Gjermania ishte në një pozitë më të mirë ekonomike përpara hyrjes së valutës së përbashkët evropiane. Sipas saj, AfD vlerëson se pjesë të mëdha të popullsisë punëtore po përballen me varfërim, gjë që ajo e lidh me politikat aktuale ekonomike dhe anëtarësimin në Eurozonë.
Duke folur për migracionin, drejtuesja e AfD-së paralajmëroi një politikë dukshëm më të rreptë. Ajo tha se Gjermania do të mbyllte kufijtë e saj dhe do të terhiqej nga Marrëveshja e Schengenit, duke e vlerësuar se kufijtë e hapur përbëjnë kërcënim për sigurinë e brendshme. Gjithashtu kritikoi sistemin evropian të azilit, duke pretenduar se migracioni ilegal ka dalë nga kontrolli dhe se Gjermania duhet të rrisë numrin e dëbimeve si dhe të uqësojë numrin e natyralizimeve të shtetasve të huaj.
Weidel përsëriti edhe kërkesën për shfuqizimin e ndalimit të motorëve me djegie të brendshme dhe u shpreh kundër atyre që i quajti ndërhyrje shtetërore në treg. Sa i përket ndryshimeve klimatike, ajo vlerësoi se ato kanë ekzistuar gjithmonë dhe se masat shtesë për frenimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu nuk janë të nevojshme.
Qëndrime të ngjashme mbajti edhe bashkëdrejtuesi tjetër i AfD-së, Tino Chrupalla, gjatë intervistës për ARD. Ai e përshkroi valën e nxehtësisë aktuale si “një verë krejtësisht normale”, duke akuzuar qeverinë federale për përhapje të frikës mes qytetarëve. Chrupalla gjithashtu shprehu dyshime mbi votimin përmes postës dhe bëri thirrje për anulimin e tij.
Në prag të zgjedhjeve krahinore në Saksoni-Anhalt, Berlin dhe Meklenburg-Pomerania Perëndimore, udhëheqja e AfD-së shfaq vetëbesim të madh. Weidel tha se pret fitoren e partisë në zgjedhjet e ardhshme dhe se AfD do të marrë për herë të parë pushtetin në disa nga landet gjermane, e në të ardhmen edhe në nivel federal.
Sipas sondazheve të fundit, AfD aktualisht udhëheq bindshëm në Saksoni-Anhalt me mbështetje më të madhe se 40 përqind. Partia po shënon rritje edhe në nivel kombëtar, me disa hulumtime të opinionit publik që e nxjerrin atë përpara CDU-së, gjë që rrit më tej tensionet politike përpara vjeshtës zgjedhore në Gjermani.




