Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti, ka bërë të ditur se së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë vizituar Shoqatën e Pavarur të Gruas “Hareja”.
Hoti ka thënë se gjatë vizitës janë njohur nga afër me aktivitetet, angazhimin dhe kontributin e kësaj shoqate në fuqizimin e grave dhe zhvillimin e komunitetit.
Sipas tij, puna e Shoqatës “Hareja” përbën shembull të përkushtimit në shërbim të qytetarëve, ndërsa ka theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për iniciativa të tilla.
“Si institucione, do të punojmë për t’i përkrahur dhe për të krijuar mundësi që misioni i tyre të vazhdojë e të zgjerohet edhe në të ardhmen”, ka shkruar Hoti.
Ai ka falënderuar ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves për vizitën dhe mbështetjen ndaj iniciativave që synojnë fuqizimin e grave dhe zhvillimin e shoqërisë.
Sipas Hotit, bashkëpunimet ndërmjet institucioneve dhe organizatave të komunitetit janë dëshmi se puna e përbashkët mund të sjellë rezultate më të mëdha për qytetarët.





