Volkswagen ka marrë vendim për të hequr plotësisht versionin me motor dizel të modelit Volkswagen Golf nga tregu britanik, për shkak të kërkesës shumë të ulët. Vendimi ka rikthyer diskutimin nëse epoka e motorëve dizel po shkon drejt fundit.
Gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, në Mbretërinë e Bashkuar janë shitur vetëm 16 mijë e 943 automjete dizel, nga gjithsej rreth 925 mijë automjete të shitura, duke përbërë më pak se 2 për qind të tregut.
Megjithatë, Volkswagen ende vazhdon të ofrojë versione dizel të Golfit në pjesë të tjera të Evropës kontinentale, të paktën për momentin.
Në vendet e Ballkanit situata është krejt ndryshe. Në Mal të Zi, numri i automjeteve me motor dizel është rritur krahasuar me vitin 2015. Sipas të dhënave, në vitin 2025 automjetet dizel përbënin 78.1 për qind të automjeteve të regjistruara, krahasuar me 65 për qind dhjetë vite më parë. Ndërkohë, pjesa e automjeteve me benzinë ka rënë nga 30.8 për qind në vitin 2015, në 18.4 për qind në vitin 2025.
Ekspertët e lidhin rënien e prodhimit të motorëve dizel kryesisht me rregullat gjithnjë e më të ashpra për emetimet e gazrave, por edhe me faktorë të tjerë ekonomikë dhe teknologjikë.
Marrëdhënia mes Golfit dhe motorit dizel ka një histori të gjatë. Motori i parë dizel atmosferik 1.5 litra në këtë model u instalua në vitin 1976, me vetëm 50 kuaj fuqi, por arrinte shpejtësi deri në 140 km/h.
Në Ballkan, megjithatë, motorët dizel vazhdojnë të kenë një popullaritet të madh, sidomos për shkak të konsumit më të ulët të karburantit, qëndrueshmërisë dhe kostove relativisht të përballueshme të mirëmbajtjes. Automjetet dizel të moshës 10 deri në 20 vjeç mbeten ndër më të përhapurat në rrugët e rajonit.
Për shumë pronarë, veçanërisht në zonat rurale, modelet si Volkswagen Passat TDI dhe automjetet e tjera dizel konsiderohen ende zgjedhje praktike për shkak të distancave të gjata, mungesës së infrastrukturës së karikimit për automjetet elektrike dhe nevojave të përditshme.
Ndërsa në Evropën Perëndimore motorët dizel po humbasin terren përballë automjeteve elektrike dhe hibrideve, në Ballkan ata vazhdojnë të mbeten zgjedhja kryesore e shumë shoferëve.
Megjithatë, me rregulloret e reja për ndotjen dhe kufizimet ndaj emetimeve, edhe tregjet e rajonit mund të përballen në të ardhmen me ndryshime të mëdha në përdorimin e automjeteve dizel.






