Në zemër të Rugovës një ndër zonat më të bukura dhe të mbrojtura turistike në vend, po zhvillohet një betejë e heshtur mes natyrës dhe ndotjes që po e kërcënon çdo ditë.
Një grup vullnetarësh të përkushtuar – Lulzim Murati, Gzim Murati, Flamur Koçani, Talib Morina dhe Enes Morina – kanë ndërmarrë sërish një aksion pastrimi, duke dëshmuar se angazhimi i tyre nuk është i rastësishëm, por një mision i vazhdueshëm.
Kjo nuk është hera e parë që ata zbresin në terren. Prej kohësh, ky grup po organizon aksione të njëpasnjëshme në Rugovë, duke u përballur drejtpërdrejt me pasojat e papërgjegjshmërisë njerëzore në një zonë që duhet të ishte shembull i mbrojtjes së mjedisit.
Edhe kësaj radhe, ajo që gjetën ishte alarmante. Nga terreni u larguan:
• 82 goma veturash
• 7 maska veturash
• 13 thasë mbeturina (120 litra secili)
Në kushte jo të lehta dhe me vështirësi të mëdha në transport, vullnetarët arritën të bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Përkundër sfidave, ata nuk u ndalën, sepse – siç thonë vetë – natyra nuk pret.
Falë ndihmës së disa qytetarëve dhe bizneseve, u bë i mundur edhe sistemimi i gomave, ndonëse hedhja e tyre në depo mbetet e ndaluar. Mbështetja që morën vetëm sa e forcon bindjen se ende ka shpresë për ndryshim.
Por përtej pamjes së shëmtuar që krijojnë mbeturinat, rreziku është shumë më i madh. Gomat e hedhura në lumenj nuk janë thjesht mbetje – ato janë burim ndotjeje që lëshon substanca të rrezikshme në ujë. Një ujë që përdoret nga shumë qytetarë për pije dhe nevoja të përditshme.
Mesazhi i tyre është i drejtpërdrejtë dhe i fortë:
Mos e helmoni atë që ju jep jetë.
Rugova vazhdon të jetë një nga destinacionet më të vizituara për qetësi dhe freski, por realiteti që po zbulohet pas këtij bukurie është i dhimbshëm. Nëse nuk ka reagim të gjerë dhe të vazhdueshëm, pasojat mund të jenë të pakthyeshme.
Rugova është e jona – dhe vetëm duke vepruar sot, mund ta shpëtojmë për nesër.





