Bosnje e Hercegovina do të investojë 4 milionë marka konvertibile në infrastrukturën e futbollit, me fokus në rikonstruktimin dhe përshtatjen e stadiumeve për zhvillimin e garave ndërkombëtare.
Mjetet janë paraparë në Buxhetin e Bosnje e Hercegovinës për vitin 2026 dhe do të kanalizohen përmes Federatës së Futbollit të Bosnje e Hercegovinës (NS/FS BiH).
Sipas informacionit të publikuar nga mediat boshnjake, fondet janë të destinuara për bashkëfinancimin e rikonstruktimit dhe adaptimit të stadiumeve, në mënyrë që infrastruktura sportive të përmbushë kërkesat moderne teknike, të sigurisë dhe organizative për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare nën organizimin e UEFA-s dhe FIFA-s.
Ky investim shihet si një hap i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në vend, veçanërisht në një periudhë kur Bosnje e Hercegovina po përgatitet për projekte të mëdha infrastrukturore në futboll.
Një prej projekteve më të rëndësishme është edhe ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar në Zenicë, në lokacionin e Bilino Poljes. Federata e Futbollit të BiH-së ka njoftuar se dokumentacioni projektues pritet të përfundojë gjatë vitit 2026, ndërsa më pas është planifikuar nisja e punimeve.
Për këtë projekt, më herët është siguruar edhe financim për hartimin e projektit ideor, ndërsa mënyra e financimit të plotë të stadiumit kombëtar pritet të përcaktohet në fazat e ardhshme.
Ndërkohë, investime të tjera të mëdha janë duke u realizuar edhe në stadiume ekzistuese. Në Sarajevë, për shembull, po vazhdon ndërtimi i tribunës jugore të stadiumit Grbavica, një projekt me vlerë që tashmë ka kaluar 5.5 milionë KM.
Me fondin prej 4 milionë KM, autoritetet synojnë që stadiumet ku zhvillohen ndeshje të nivelit ndërkombëtar të kenë kushte më të mira dhe të afrohen me standardet infrastrukturore të kërkuara nga UEFA dhe FIFA.
Investimi në stadiume shihet si një nga hapat kryesorë për modernizimin e futbollit boshnjak dhe krijimin e kushteve më të mira për klubet dhe ekipet kombëtare.




