Ballina > Kronikë > 22 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje në qendrën tregtare në Podujevë

22 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje në qendrën tregtare në Podujevë

26 Feb 2026 Kronikë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Arsim Sylën për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, lidhur me ngjarjen e ndodhur në vitin 2023 në qendrën tregtare Interex në Podujevë.

Trupi gjykues e ka dënuar Sylën me 22 vjet burgim, duke vlerësuar se veprimet e tij kanë pasur rol vendimtar në kryerjen e krimit.

Sipas Prokurorisë, më 11 shtator 2023, Arsim Syla dhe djali i tij i mitur – i cili aktualisht ndodhet në arrati – kishin shkuar në një kafiteri brenda qendrës tregtare “Interex”. Rreth orës 12:19, ata kishin vërejtur tani të ndjerin V.B., i cili po hynte në market së bashku me bashkëshorten L.S. dhe fëmijën e tyre katërvjeçar.

Aktakuza përshkruan se, pas kësaj, Syla dhe i mituri kishin dalë nga restoranti, ku babai e kishte orientuar djalin drejt viktimës. Sipas Prokurorisë, i mituri e kishte ndjekur viktimën, ndërsa Syla kishte vazhduar të largohej nga objekti.

Ngjarja kishte kulmuar në sektorin e bylmetit të marketit, ku i mituri i ishte afruar nga prapa viktimës dhe kishte shtënë dy herë me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, në prani të bashkëshortes dhe fëmijës së viktimës.

Gjykata ka vlerësuar se roli i babait në orientimin dhe shtytjen e të miturit për kryerjen e veprës penale përbën bashkëkryerje, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në lartësinë e dënimit. Vendimi nuk është ende i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ankese në instancat më të larta.

Lini një përgjigje