Një grua kineze 101-vjeçare, Jiang Yueqin, është bërë virale në rrjetet sociale falë stilit të saj të pazakontë të jetesës, i cili po habit mijëra njerëz në mbarë botën.
Sipas mediave dhe dëshmive të familjarëve, Jiang qëndron zgjuar duke parë televizor deri rreth orës 02:00 të mëngjesit, fle deri në 10:00, konsumon patatina, ushqime të thata tradicionale dhe produkte krokante të përgatitura nga gështenjat e ujit. Pavarësisht kësaj rutine jo të zakonshme, ajo gëzon shëndet të mirë, ka shumë energji dhe ende i ka të gjithë dhëmbët e saj natyralë.
Fëmijët e saj zbulojnë se sekreti i jetëgjatësisë nuk lidhet vetëm me ushqimin apo gjumin, por edhe me qetësinë shpirtërore.
“Çelësi është të hash mirë, të flesh mirë, të pish çaj jeshil çdo ditë dhe, mbi të gjitha, të mos mbash inate. Ajo nuk zemërohet dhe nuk i mban problemet në mendje”, kanë treguar ata.
Historia e Jiang Yueqin po komentohet gjerësisht në rrjete sociale, ku shumë përdorues e cilësojnë atë si dëshmi se qetësia mendore dhe mungesa e stresit janë po aq të rëndësishme sa zakonet e shëndetshme për një jetë të gjatë.




